Shko te përmbajtja

Aerarium

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Aerarium Saturni (në krye) dhe rrënojat e tij (poshtë); vizatim nga Jan Goeree, para v. 1704

Aerarium, rrjedh nga fjala latine aes ("bronz, para") + prapashtesën -ārium ("vend për"), ishte emri i vënë në Romën e Lashtë për thesarin publik,[1] dhe në një kuptim dytësor për financat publike.[2]

Aerarium populi Romani

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aerarium kryesor, ai i popullit romak, ishte Aerarium Saturni i vendosur poshtë Tempullit të Saturnit në rrëzën e Kodrës Kapitoline.[1] Shteti romak i depozitonte aty dokumentet financiare dhe jo financiare shtetërore – duke përfshirë ligjet dhe senatus consulta – bashkë me thesarin publik. Ligjet nuk bëheshin të vlefshme deri sa të depozitoheshin aty.[1] Ai mbante edhe standardet e legjioneve romake; gjatë Republikës Romake, kuestorët urbanë e menaxhonin atë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Senatit.[3] Nga Periudha klasike Republikane, Senati kishte autoritetin përjashtimor për të disbursuar fonde nga ai.[4]

Denarius i prerë nga Gneu Neriusi, i cili ishte kuestor urban në v. 49 p.e.s. Faqja kryesore paraqet Saturnin, në tempullin e të cilit mbaheshin aerarium dhe standardet e legjioneve. Faqja tjetër tregon një aquila midis dy standardeve, me shkrimin H përr hastati dhe P për principes, dhe emrat e konsujve.[5]

Çezari e zëvendësoi administrimin kuestorian me administrimin e dy aediles.[6] Në vitin 28 p.e.s., Augusti e kaloi aerarium te dy praefecti aerarii, të zgjedhur për vit nga Senati nga ish-pretorët. Në vitin 23 të e.s., ata do të zëvendësoheshin nga dy pretorë (praetores aerarii ose ad aerarium), të përzgjedhur me short gjatë mandatit të tyre në detyrë. Klaudi në vitin 44 të e.s. riktheu kuestorët, por duke i emëruar perandori për tre vjetë. Në vitin 56 të e.s., Neroni i zëvendësoi dy ish-pretorët e zgjedhur nën të njëjtit kushte.[2]

Nga koha e Republikës së Vonë, guvernatorët provincialë kishin thesaret e tyre provinciale, të quajtur fiscus (fillimisht i referoheshin një "kulete ose traste me para").[4][7] Me kalimin e kohës, thesaret e guvernatorëve u bashkuan me atë të perandorit në një fiscus perandorak. Megjithatë, pas njëfarë kohe, pasi pushteti i perandorëve u rrit më tej, ky dallim midis thesareve të administruar nga senati dhe atyre provincialë u bënë të parëndësishëm.[2] Të ardhurat nga provincat senatoriale do të kalonin gjithmonë e më shumë nga aerarium te fiscus përgjatë Principatit të hershëm. Nga koha e Honoriusit dhe Kodit Teodosian, çdo mbetje e dallimeve ishte shuar.[4]

Shtrirja në të cilën rregjistrimet ishin centralizuar në aerarium mund të jetë tepruar. Reformat e ndryshme të kryera në kohët e mëpërshme mund të nënkuptojnë menaxhim shpërfillës, falsifikim, ose humbje të rregjistrimeve. Edhe në Periudhën Republikane, Ciceroni ankohej për shtrirjen në të cilën rregjistrimet publike menaxhoheshin[8][9] dhe në periudhat e mëvonshme, shtrirja në të cilën rregjistrimet publike përdoreshin vërtetë për referencë është kundërthënëse: studjuesit, p.sh.: Theodor Mommsen, kanë argumentuar se burimet e ligjit në Perandorinë e Vonë Romake nuk mbështeteshin në rregjistrimet shtetërore, por në ato të individëve privatë, shkollat ligjore dhe administratorët provincialë.[8]

Tempulli i Saturnit në Forumin Romak, selia e Aerarium

Aerarium sanctius

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përveç thesarit të përgjithshëm, të mbështetur nga taksat e përgjithshme dhe të ngarkuar me shpenzimet e zakonshme, kishte një fond special rezervë, gjithashtu në Tempullin e Saturnit, aerarium sanctum (ose sanctius). Ky fond me gjasa fillimisht përbëhej nga plaçka e luftës. Në vijim ai u mbajt kryesisht nga një taks pesë përqint mbi vlerën e të gjitha manumisioneve të skllevërve. Ky fond nuk duhet të prekej përveç në raste të nevojës së skajshme.[2] Ai do të vijonte deri në vitin 49 p.e.s., kur Jul Çezari, pas zaptimit të qytetit të Romës, gjatë luftës civile do ta plaçkiste këtë fond të posaçëm.[3][10]

Aerarium militare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përveç krijimit të fiscus, Augusti krijoi gjithashtu në vitin 6 të e.s. një thesar ushtarak (aerarium militare) si një fond për përfitimin e veteranëve të tërhequr. Ai fillimisht përmbante 170 miljonë sesterca të fondeve të vetë perandorit, të mbështetur nga taksa të reja, një pesë përqint taksim mbi trashëgimin (vicesim hereditarium) dhe një përqint taksim të shitjeve në ankande. Administrimi i tij ishte në duart e tre praefecti aerarii militaris. Në fillim ata caktoheshin me short, por më pas nga perandori, nga ish-pretorët, për tre vjetë.[11]

Tribuni aerarii ("tribunët e thesarit") kanë qenë subjekt i shumë debatesh. Ata supozohej të ishin të njëjtë me curatores tribuum dhe të kenë qenë zyrtarë që, nën Organizimin Servian, mblidhnin taksa lufte (tributum) nga fiset dhe taksa për frymë mbi aerarii (banorë që nuk bënin pjesë te fiset origjinale romake, që i nënshtroheshin taksimit për frymë). Ata vepronin gjithashtu si llogaritarë të equites dhe ushtarëve në shërbim në secilin fis. Nëpërmjet Lex Aurelia iudiciaria (70 p.e.s.) u hartua lista e gjykatësve, përveç senatorëve dhe equites, të tribuni aerarii. Nëse këta ishin pasuesit e të mësipërmve, apo një rang i ri ngushtësisht i lidhur me equites, ose edhe të njëjtë me këta të fundit, është e paqartë.[2]

Sipas Theodor Mommsen, ata ishin persona që zotëronin census ekuestër, por jo kal publik. Ata do të hiqeshin nga lista e gjykatësve nga Jul Çezari, por u zëvendësuan nga Augusti. Sipas Johan Nicolai Madvig, tribuni aerarii origjinalë nuk ishin fare zyrtarë, por individë privatë me mjete të konsiderueshme, mjaft të ndryshëm nga curatores tribuum, që ndërmerrnin disa punë financiare të lidhura me fiset e tyre. Pastaj, si në rastin e equites, termi do të zgjerohej për të përfshirë të gjithë ata që zotëronin kualifikimin pronësor që do ti caktonte ata për të shërbyer si tribuni aerarii.[2]

Përpara decemviratit në vitin 451 p.e.s., kishte një institucion të veçuar të njohur si publicum.

Në një numër rastesh është rregjistruar se patricë të ndryshëm hasnin në zemërimin e plebejve duke i paguar plaçkat nga lufta te publicum, në vend se te aerarium, për shembull Kuint Fabius Vibulani në vitin 485 p.e.s. duke pasuar një fitore mbi volskët dhe ekuit.[12] Nga kjo është argumentuar se publicum ishte një fond i administruar nga patricët,[13] por kjo është vënë në diskutim nga të tjerët.[14]

Citatime fundore=

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. 1 2 3 Burton 2012, para 1.
  2. 1 2 3 4 5 6 Hugh Chisholm, red. (1911). "Aerarium". Encyclopædia Britannica (në anglisht). Vëll. 1. fq. 259.
  3. 1 2 Burton 2012, para 2.
  4. 1 2 3 Crawford 2006.
  5. Crawford 1974, ff. 460–61.
  6. Burton 2012, para 3.
  7. Ciceronin. In Verrem, 2.3.197.
  8. 1 2 Thomas 2012.
  9. Mark Tulius Ciceroni (1853). "Book III. 20.". përmbledhur nga Charles Duke Yonge (red.). The Treatises of M.T. Cicero: On the Nature of the Gods; On Divination; On Fate; On the Republic: On the Laws; and On Standing for Conculship (në anglisht). Vëll. 5. On the Laws (De Legibus). Henry G. Bohn. fq. 481-483 (461-483).
  10. Adrian Keith Goldsworthy (2006). Caesar: Life of a Colossus (në anglisht). Nju Haven: Yale University Press. fq. 397. ISBN 978-0-300-12689-1. OCLC 71251297. Çezari mori një fond të posaçëm... në rast se kishte një përsëritje të sulmit galë mbi Romë në vitin 390 p.e.s. Çezari shpalli se nuk kishte më ndonjë nevojë për të këtë, meqë ai ishte përballur përfundimisht me rrezikun... ai nuk i përmend ndonjë nga këto në komentarët e tij
  11. Burton 2012, para 4.
  12. Tit Livi, Ab urbe condita, 2.42.
  13. Barthold Georg Niebuhr, Roman History, II, fq. 25
  14. Albert Schwegler, Römische Geschichte, II, 286

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Aerarium (artikull te A Dictionary of Greek and Roman Antiquities e Smithit)
  • E. Badian (6 qershor 2016). "Aerarium: Ancient Roman Treasury". Encyclopædia Britannica (në anglisht).